Sinoptikania Adiola Bani ka deklaruar se gjatë javës së dytë të janarit do të vijë ‘acari’.

Ajo tha se moti gjatë këtyre ditëve do të shoqërohet me temperatura maksimale nga 12-13 gradë celsius.

“Kemi pasur temperatura 15-16 gradë celsius. Presim që të kemi freskim të motit nga mëngjesi i të dielës dhe në vijim.

Vlerat minimale do të zbresin në vlerat tipike në -2 gradë celsius në zonën malore dhe ato maksimale do të jenë jo më shumë se 12-13 gradë celsius në zonat jugperëndimore të territorit. Duke nisur nga dita e hënë deri në 31 dhjetor, presim vlera tipike të muajit që ne ndodhemi.

Sa i përket kushteve të motit kemi pasur një paqëndrueshmëri duke nisur nga dita e djeshme, ku ka pasur dhe reshje shiu. Nga mesdita e sotme dhe dita e diel do të ketë reshje mesatare dhe intensive në zonën jugore, dhe më pak presim në veri. Në një pjesë të mirë të zonës malore do të kemi reshje bore.

Në pjesën më të madhe të territorit do të kemi reshje shiu. Sa i përket temperaturave të ajrit, presim që të kemi rënie të tyre 3-4 gradë celsius. Ditët e fundit të muajit dhjetor do të jenë temperatura tipike të muajit që ne ndodhemi.

Reshje bore do të ketë vetëm në zonën malore. Sa i përket fillimit të Viti të Ri, java e parë e janarit do të jetë me temperatura më normale se ato të zakonshmet duke qenë se do të kemi vijim të temperaturave të muajit dhjetor.

Java e parë e janarit do të ketë nga vlerat minimale në -2, deri në 13-14 gradë celsius. Presim rikthim të vlerave tipike të janarit, apo dimrit ‘të vërtetë’ pas javës së dytë të muajit.”, tha Bani.