Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se edhe Shqipëria është e shqetësuar sa i përket përhapjes së variantit Omicron ndaj lajmeroi se ISHP do të dërgojë mostrat për analizim për të parë më pas nëse ky variant ka qarkulluar apo po qarkullon në vendin tonë.

“Instituti i Shëndetit Publik është duke punuar për të përgatitur mostrat sipas protokolleve të ECDC, për t’i çuar për t’i analizuar dhe për të vijuar më tej sekuencimin e këtyre mostrave. Për të bërë dhe ne të gjithë atë hartëzimin e nevojshëm për të vlerësuar nëse varianti Omicron qarkullon në vendin tonë dhe sigurisht ajo çfarë është më e rëndësishme është që të rrisim vigjilencën”, tha Manastirliu.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino tha: “Omicron nga pikëpamja e transmetueshmërisë mendohet që ka një transmetueshmëri të lartë.

Mendohet që mund të jetë më i lartë se transmetueshmëria e Deltës, megjithatë edhe kjo mbetet për t’u parë sepse ka nevojë që të vlerësohet se si është transmetueshmëria brenda familjes apo jashtë saj.

Për sa i përket formave të rënda, natyrisht shtimi i rasteve mund të pasohet edhe me format e rënda. Ajo çka ka rëndësi është që të vlerësohet ai evitimi i imunitetit qoftë natyror qoftë edhe nga vaksina. Megjithatë kemi të dhëna, jo të gjitha të dhënat e mundshme, por që vaksina ka një efektivitet prandaj është shumë e rëndësishme të vaksinohemi”, tha Bino.