Pushimet dimërore të nxënësve këtë vit do të jenë më të gjata. Është kjo çfarë ka deklaruar gjatë një interviste Ministrja e Arsimit, Evis Kushi. Në situatën e pandemisë, kur në shkolla ka një alternim të mësimit online dhe atij fizik, Kushi tha se Ministria e Arsimit është në komunikim të ngushtë me Komitetin Teknik për të përcaktuar rregullat e vijimësisë së zhvillimit të mësimit.

Edhe pse ende nuk ka një vendim, Ministrja e Arsimit pohoi se fillimi i shkollës pas pushimeve të fundvitit, pritet në datat 11 ose 18 janar, varësisht edhe situatës pandemike.

“I vetmi sinjal që kemi është që pushimet dimërore do të jenë më të gjata. Akoma nuk e kemi vendosur nëse do të jetë 11 apo 18 janar fillimi i shkollës. Theksoj se dinamika e pandemisë do të ndikojë në vendimmarrje”, tha Kushi gjatë një interviste në abc news.

Ndërkohë, aktualisht janë 140 nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm në të gjithë Shqipërinë të cilët kane zgjedhur që procesin mësimor këtë vit ta bëjnë vetëm online.