Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti tha se imunitetit të tufës mund të arrihet në 60-65% në vendin tonë, duke argumentuar se nuk jemi edhe aq larg.

“Imuniteti i tufës është diçka e pashmangshme, çdo ditë infektohen njerëz të tij që i shtohen shportës së të infektuarve dhe është një hap më tej afër tij. Kjo është rruga natyrore dhe me një llogari të thjeshtë, supozohet që ky imunitet arrihet diku tek 60-65 përqind, që domethënë se nuk jemi dhe aq larg, tani jemi afruar goxha, por kujtojmë që kemi dimrin përpara, – vijoi Alimehmeti. – Duke bërë një llogari tjetër, kjo përqindje nuk është shpërndarë në mënyrë homogjene, nuk është njësoj në të gjithë Tiranën dhe Shqipërinë, pasi ka disa zona ku kjo përqindje është shumë më e madhe, ndërkohë që ka të tjera që është më pak”, – u shpreh epidemiologu.

Por a mund të ketë një valë të dytë me Covid pas festave të fundivitit? Alimehmeti bën një krahasim me vendin fqinj, Italinë.

“Italia ka një element se të gjitha rajonet e kanë koeifiçentin e R poshtë numrit 1. Janë të gjitha rajonet në zbritje dhe kjo bën të mundur nesër rikthimin e një vale tjetër. Tek ne nuk po ndodh, ne kemi vazhdueshëm rritje. Vazhdon ajo vala që ka nisur në qershor, rënia e shtrimeve nuk është domethënëse, unë e shoh si një fraksion dhe trajektore. Është një numër shumë i vogël që vjen për arsye të tjera. Pastaj rënia me 10 apo 20 ndër 500, nuk është një përqindje shumë e rëndësishme sa të bëjë diferencën”, – deklaroi epidemiologu.

Ndërkohë, duke marrë shkas nga humbjet e jeteve te njëpasnjëshme të mjekëve nga Covid-19, eksperti i shëndetit publik, shprehet se duhen ruajtur sa më parë qendrat shëndetësore dhe spitalet, sepse sipas tij ato janë vatra ku mund të ndodhë një përhapje e fortë e virusit.