Erërat e fuqishme në disa rajone dhe vranësirat të cilat tani kanë përfshirë vendin tonë janë në kuadër të ciklonit të fuqishëm me qendër në Adriatikun verior. Ky ciklon shtrihet nga jugu i Skandinavisë përmes Evropes qendrore e deri në jug të Detit Adraitik, Jon dhe kemi një vorbullë edhe në Egjipt në Afriken veriore, pra kemi të bëjmë me masa të fuqishme dhe të mëdha ajrore ciklonike të cilat janë përgjegjësi për destabilizim të motit.

Cikloni pritet të ndahet në dy pjesë. Njëra vorbull sonte pritet të kalojë në Evropen lindore duke hapur korridorin që nga veriu të fillojnë të depërtojnë gradualisht masa më të ftohta ajrore. Një tjetër vorbullë mbetet ende aktive në Itali dhe pikërisht kjo e dyta pritet të na sjellë reshjet e para të borës natën mes së hënës dhe së martës.

Me kalimin e frontit të parë do të fillojnë erërat veriore dhe gradualisht do të ulen temperaturat. Me ardhjen e frontit tjetër (natën e së hënës) erërat veriore pritet të fuqizohen temperaturat të ulen edhe më shumë dhe për këtë arsye priten reshje bore pas reshjeve të shiut të cilat priten sonte dhe nesër.

Reshje bore priten në gati krejt territorin e Republikës së Kosovës, por nuk duhet pritur shtresa të mëdha nëpër ultësira. Shtresa pritet të ketë në viset kodrinore-malore të Kosovë, verilindje, lindje dhe juglindje të Shqipërisë dhe veriperëndim të Maqedonisë së Veriut, normalisht edhe në Mal të Zi. Reshje bore priten nesër natën edhe nëpër ultësira të Kosovë dhe në ato rajone që i cekëm më lartë, por nëpër ultësira nuk priten reshje të mëdha që do të krijonin shtresa të mëdha. Priten reshje estetike dhe shtresa dekorative. Lokalisht në ndonjë rajon priten shtresa pak më solide për shkak të reshjeve të dendura të borës.

Të martën na pret ditë e ftohtë dimërore me rrymime të forta nga veriu. Vende-vende ende priten reshje bore të cilat pritet të ndërpriten. Ditëve të ardhshme pritet të vazhdojë moti i ndryshueshëm dhe pas uljes së ndjeshme të temperaturave pritet të kemi rritje të sërishme gjatë mesjavës për tu ulur sërish në fund të javës.