Ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare aktorja e njohur shqiptare, Filika Dimo.

Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare në rrjetet sociale e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, prej ku thuhet se aktorja është ndarë nga jeta në Belgjikë, ku jetonte prej disa vitesh.

Filika Dimo u lind në Durrës me 1 gusht të vitit 1939. U diplomua në departamentin e aktrimit në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Pas studimit, ajo filloi të punojë në Teatrin Popullor në Tiranë. Pjesën më të madhe të aktivitetit e ka pasur në Teatrin “Aleksandër Moisiu” ku ka punuar si aktore e roleve kryesore në shumë vepra dramatike krahas aktorëve të tjerë durrsakë si Nikolin Xhoja, Spiro Urumi, Kadri Pirro, Marta Burda, Lazër Vlashi, Gaqo Spiro etj.

Debutimin e saj në kinematografi e bëri në vitin 1959 me rolin e vogël të Shpreses në filmin Furtuna. Ajo luajti në 4 filma të tjerë artistikë. Filmi qe e bëri më të njohur dhe më të vlerësuar atë si aktore, është filmi televiziv me 2 seri i RTSH-së “Koha nuk pret”, me rolin e Beatrice Shmid.