Dy djem të rinj kosovarë, me origjinë nga Prizreni, kanë bërë histori suksesi në Gjenevë të Zvicrës duke u diplomuar në fushën e Mjekësisë. Kjo ka ndodhur më 25 janar 2020, në Universitetin e Gjenevës, në Fakultetin e Mjekësisë, ku u mbajt ceremonia zyrtare e dhënies së diplomave të 120 mjekëve të sapodiplomuar në Zvicër. Mes tyre ishin edhe dy vëllezër kosovarët, Genti Memaj 27-vjeçar dhe Plator Memaj 26-vjeçar, me origjinë nga Zhuri i Prizrenit.

E veçanta e kësaj ceremonie ishte se të dy vëllezërit mantelbardhë në të njëjtën ditë u bënë zyrtarisht me titujt “Doktorë” të shkencës së Mjekësisë, ku u dalluan Genti në Departamentin e Stomatologjisë, duke treguar suksese të mëdha në fushën përkatëse si dentist dhe, Platori kishte korrur suksese në arritjet e tij profesionale si mjek kardiolog. Pas sukseseve të njëpasnjëshme gjatë studimeve, Genti dhe Platori arritën t’i mbrojnë titujt zyrtarisht të diplomave që iu dorëzuan nga personalitetet më të larta politike dhe të qarqeve akademike të Kantonit të Gjenevës.

Diplomimit të tyre iu gëzuan më së shumti prindërit, Agim Memaj, inxhinier me Master në Universitetin EPFL Lausanne dhe Teuta Memaj qe eshte mjeke nutricioniste e specializuar në Universitetin e Lausannës. Ata thanë se janë krenarë si prindër per djemtë e tyre dhe se kjo në një mënyrë është edhe krenari për gjithë Kosovën jo vetem për Zvicrën. Duhet theksuar se të dy vëllezërit shkollimin fillor dhe Kolegjin e mbaruan në Friburg, dhe menjëherë pas përfundimit të tyre ata arritën të regjistrohen në Universitetin e Gjenevës për Mjekësi.

Por, jo vetëm kaq, sukseset e tyre nuk kanë të ndalur, pasi që tani Genti ka filluar punën si mjek dentist në kabinetin privat të Stomatologjisë së quajtur “Cabinet Dentaire des Frontenex”. Nga ana tjetër, Platori nga 1 shkurti filloi punën zyrtarisht si mjek kardiolog në Spitalin Universitar të Gjenevës. Duhet theksuar se objektivi i ardhshëm i Gentit dhe Platorit është doktoratura në një të ardhme të afërt, pasi të dy kanë kapacitete dhe shprehen të gatshëm për titujt e radhës.

Po ashtu, Genti dhe Platori janë shumë të lidhur edhe me Kosovën te cile e vizitojnë shumë shpesh, 5 deri 6 herë në vit. Gjithashtu ja vlen të theksohet se të dy vëllezërit kanë pasion historinë, sidomos të kombit shqiptar, dhe vizitojnë rregullisht vendet historike të Kosovës dhe Shqipërisë në përgjithësi.