Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, e ftuar në një bisedë televizive, foli për ecurinë epidemiologjike në vend dhe procesin e vaksinimit. Sa i përket të parës, Rakacolli theksoi se ka pasur një rënie të numrit të të infektuarve dhe kjo është ndikuar dhe nga bërja e vaksinave.

Nga krahu tjetër, ajo tregoi se 90 % e fataliteteve nga sëmundja nuk kishin bërë vaksinat. Sakaq, Rakacolli nënvizoi se vaksina është mirë të bëhet sepse të mbron nga virusi. Ajo tha se aplikimi i vaksinës nuk ndikon në sterilitet, ndërsa shtoi se gratë shtatzëna, sipas të gjitha të dhënave të tanishme duhet të kryejnë vaksinën. Ndër të tjera, zv. ministrja zbuloi se brenda muajit Komiteti Teknik i Ekspertëve do të mblidhet dhe do të tregojë se çfarë do të ndodhë me fëmijët, a duhet të vaksinohen apo ende duhet të presim për të nisur fushatën për këtë grupmoshë.

Pjesë nga intervista:

Ne cfarë niveli jemi aktualisht?

Mira Rakacolli: Pas një rritje që patëm në gusht dhe fillim shtatori tani kemi stabilitet në shifra. Ne i matim sipas incidencë javore apo dy javore. Numri i rasteve aktive, ka qenë dhe 11 mijë apo 12 mijë, ndërsa tani jemi diku te 6 mijë. Natyrisht që numri it ë shtruarve në spital ka një rënie të lehtë. E rëndësishme është që nuk ka shkuar proporcionalisht numri i humbjeve të jetës me infektimet dhe tregues për këtë është vaksinimi.